Ilda Bejlerin jemi mësuar ta shohim çdo ditë në ekranin e “SuperSport”.
Herë në studion e lajmeve, e herë në studion e “Bar Skedina”, për Ildën
pak rëndësi ka vendndodhja… Fusha sportive është tashmë fusha e saj, ku
edhe specialistët sportivë e kanë të vështirë ta ‘zënë mat’. Aq shumë
flet Ilda për sportin, sa edhe në mbrëmjet argëtuese nuk e shmang dot.
Po për të mësuar më shumë për këtë lidhje të veçantë që i kalon kufijtë e
punës, ju ftojmë të lexoni këtë intervistë të vajzës simpatike, ku ajo
rrëfen gjithçka për profesionin e saj.
Ilda, të shohim çdo ditë në ekran, por sidoqoftë do donim të na tregoje diçka më shumë për punën tënde?
Puna shkon aq mirë, sa shpesh më del nga mendja që më duhet ta quaj
punë në fund të fundit. Për mua sporti është pasion mbi të gjitha. Kjo,
sidomos është një periudhë shumë e bukur për shkak se kampionatet apo
kompeticionet e rëndësishme europiane po vijnë drejt finalizimit. Ky
fakt e bën gjithçka akoma më emocionuese.
Sa e vështirë është për një vajzë të flasë për sportin?
Në fillim ka qenë e vështirë, pasi e konsideroja veten, thjesht një
“vajzë” e cila kishte mbaruar degën e gazetarisë. Tani them me bindje se
ndihem totalisht gazetare sportive dhe e konsideroj diçka të natyrshme
të flas për sportin. Ndoshta për mua është më e thjeshtë sesa për një
mashkull. Tashmë u bënë disa vite që jep lajmet dhe drejton programe për
sportin.
Sa e afërt ndihesh ti vetë me sportin?
Sporti dhe futbolli veçanërisht, zënë një pjesë të madhe të ditës
sime. Ndihem aq e afërt, sa shpesh më duhet të ndaloj veten të flas për
futbollin kur dal me miqtë për të pirë diçka në mbrëmje. Më e afërt se
kaq?!
Më parë, ke qenë e dhënë pas sportit?
Kam qenë e dhënë pas sportit, kryesisht pas ndeshjeve të ekipit
përfaqësues. Madje kur Shqipëria mundi Greqinë në “Qemal Stafa” në vitin
2004, kam qenë në stadium e pikturuar e gjitha kuqezi.
A i kupton ato që thonë specialistët e fushës?
Patjetër që po! Jo vetëm i kuptoj, por dhe krijoj debat me ta,
ndoshta shpeshherë pa e kërkuar, por nëse diçka nuk më pëlqen apo nuk
jam dakord me mendimin e ndonjë specialisti, nuk i rezistoj dot tundimit
për t’i kthyer përgjigje. Sporti është një fushë ku nuk mund të
shtiresh, sepse në një moment apo tjetrin del “blof”. Tifozët që e
ndjekin ‘Supersportin’ dinë me detaje çdo informacion për skuadrën e
tyre të zemrës, dhe nëse gabon, ata nuk të falin…
Na trego ndonjë gafë që ke bërë në terma sportivë?
Mund të kem bërë ndonjë lapsus (qesh). Është normale që ndonjë gabim i vogël është i pranishëm, por gafa jo.
Për cilën skuadër bën tifo?
Përgjithësisht më pëlqen futbolli i bukur dhe nuk dua të pozicionohem
me ndonjë ekip në veçanti, por gjithsesi kam përzemër Realin e
Madridit. Më pëlqejnë guximtarët, personat që rrezikojnë, që kudo që
shkojnë, arrijnë të fitojnë trofe të rëndësishëm. Të gjitha këto veti
besoj që pasqyrohen më së miri te Cristiano Ronaldo dhe Hoze Mourinho.
Kjo është edhe arsyeja pse mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos
preferoj CR7, sepse portugezin e kam parë të luajë për Manchester United
me po të njëjtën grintë si te Reali i Madridit, ndërsa për Messin nuk
di ç’të them, sepse me të vetmin ekip që ka fituar është Barcelona; me
Argjentinën është ende shumë larg titullit botëror.
Cili ka qenë i ftuari më i veçantë, të cilit kur i keni drejtuar pyetjen jeni emocionuar?
I ftuari im i parë në emisionin e parë të “Europa League”, gazetari
sportiv Tritan Kokona. Ka mbetur në memorien time, sepse kam qenë shumë e
emocionuar, por biseda me të më solli fat mesa duket.
Të ndalojnë tifozët në rrugë?
Ka shumë që më ndalojnë dhe bëjnë komente për ‘Bar Skedinën’ dhe
gjithashtu më komplimentojnë mua apo të ftuarit në studio, të cilët
tashmë janë kthyer në personazhe me parashikimet e tyre. Por gjithsesi,
pjesa më e madhe më shkruajnë në ‘Facebook’, te adresa zyrtare e “Bar
Sport”.
Po kampionatin shqiptar, sa e ndjek? Për kë bën tifo?
Kampionati shqiptar mbetet akoma shumë larg nivelit futbollistik që
ofrojnë fqinjët tanë. Për fat të keq, mungojnë talentet e vërtetë, ata
të cilët bëjnë diferencën në një ekip. Mungon një futbollist-ikonë që të
bëjë tifozët për të vete. Nëse më parë kemi pasur emra si Panajot Pano,
Arben Minga apo Sulejman Mema e shumë emra të tjerë, të cilët i kanë
dhënë shumë futbollit shqiptar, sot është e vështirë të gjesh të tillë.
Për fat të keq, edhe ata futbollistë që premtojnë shumë, përgjithësisht
nuk luajnë në Shqipëri. Rrjedhimisht, nëse nuk kemi një kampionat
cilësor, është vështirë të kesh një ekip përfaqësues që të të bëjë të
ëndërrosh, edhe pse jemi në një fazë të tillë.
Marrëdhëniet me kolegët, si i ke?
Përgjithësisht shumë të mira, për faktin se në të kaluarën kemi
kaluar një pjesë të madhe të ditës bashkë dhe kjo ka bërë që të njihemi
më mirë. E ndjen ndonjë, rivale? Aspak. Jam person që besoj te vetja dhe
kjo më bën që të mos e ndjej rivalitetin, për më tepër që tashmë po
bëhen 5 vjet që nga dita e parë e punës sime në ‘Supersport’. A ka një
figurë të cilën ti e merr si shembull në televizionet shqiptare? Në
Shqipëri jo, sepse unë jam ndër të parat femra që kam drejtuar një
emision sportiv, madje një kompeticion të rëndësishëm si Europa League
në fillimet e mia dhe më ka munguar një person që ta merrja si shembull,
por nëse do të kaloja kufijtë, më pëlqen shumë Sara Carbonero.
Spanjollja di se si t’i bëjë tifozët për vete me sharmin e saj dhe me
inteligjencën, sigurisht.
Dashuria…
Ilda, me apo pa të dashur?
Me të dashur.
Na e përshkruaj pak mashkullin ideal. Vështirë ta përshkruash me pak
fjalë, por po them që në radhë të parë duhet të jetë “mashkull” në të
gjitha kuptimet dhe të më bëjë mua të ndihem “femër”.
Na trego diçka edhe për ditën tënde. Si nis dhe si mbaron ajo?
Më pëlqen të ngrihem herët në mëngjes dhe të kem një ditë sa më
aktive, por jo gjithmonë e bëj këtë. E nis ditën me një kafe dhe pastaj
shkoj në punë. Ndërsa mbrëmja është në varësi të sfidave, sepse nëse ka
ndeshje, i shoh përgjithësisht në punë me kolegët, në të kundërt dal për
të pirë diçka me miqtë e mi.
Ngjyrat e Ildës
Për një prezantuese televizive, dukja është shumë e rëndësishme, ndaj edhe ne nuk mund ta linim pa e pyetur Ildën për modën…
Blerja e fundit që ke bërë?
Blerja e fundit janë disa bluza me ngjyra, të cilat mund t’i vesh paradite, tashmë që edhe koha “besoj” do të ngrohë disi.
Sa kanë kushtuar?
Jo shumë, sepse shumat e mëdha të parave i shpenzoj për çanta dhe
këpucë. Je e fiksuar pas markave? Mundohem të bëj një kombinim mes
markave dhe gjërave të thjeshta. Besoj që ky është edhe çelësi për të
mos shpenzuar shumë para dhe njëkohësisht për t’u dukur bukur.
Gjithsesi, më e rëndësishmja është të dish se ç’të bën të dukesh ty më
bukur dhe të njohësh trupin tënd, pastaj gjithçka bëhet më e thjeshtë…
Sa e ndjek modën?
Mundohem ta ndjek sa më shumë të jetë e mundur, por gjithmonë kur ajo
i përshtatet stilit tim të veshjes dhe personalitetit mbi të gjitha.
Eraldo Rexho Bluetooth
mercredi 10 avril 2013
Ledrit do t’i pëlqente të ‘ristartojë’ popullin?!
Ish anëtari i rep grupi ‘Skillz’ Ledri Vula siç duket nuk është i kënaqur me përditshmërinë që po jeton, ai këtë e ka shprehur edhe në rrjetet sociale.
Ai përmes rrjeteve sociale ka propozuar një mënyrë tjetër të jetës, duke theksuar se do t’i pëlqente shumë që të kishte mundësi të ‘ristartojë’ njerëzimin në Kosovë.
Kështu të paktën ka nënvizuar Ledri përmes ‘Twitter’-it ndërsa ka shkruar: “Me mujt me restartu popullin. 1 mëngjez mu qu krejt njejt. Kerkush president, kerkush artist, kerkush puntor krahu. Me fillu prej dites 1”.
Ndryshe, Ledri Vula u largu nga skena muzikore, për shkak të problemeve të cilat ai kishte hasur .
Inscription à :
Commentaires (Atom)


