Anjeza Shahini, kësaj here bashkëpunim me një gjerman
Kjo verë për Anjeza Shahinin nuk ka qenë aq e favorshme për të pushuar, pasi e kemi parë të këndojë në koncerte të verës, që kanë organizuar televizionet në qytete të ndryshme. Por jo vetëm kaq. Këngëtarja e njohur për momentin është e angazhuar me realizimin e dy këngëve të reja, e para një duet dhe e dyta këngë e saj. Kënga në duet titullohet në gjermanisht “Kastanien”, dhe bëhet fjalë për një bashkëpunim me një këngëtar gjerman, i cili ka krijuar një këngë dedikuar Tiranës, ose me saktë një vajze nga Shqipëria dhe ka ftuar në bashkëpunim Anjezën.
“Unë kam kënduar një pjesë të këngës, e cila do jetë dhe videoklip. Kënga është në gjermanisht dhe vetëm pjesa ku këndoj unë është në shqip dhe besoj se shumë shpejt do ta shihni të transmetohet në ekranet shqiptare”, ka pohuar Anjeza.
Ndërkohë ajo ka pohuar se paralelisht po punon për një këngë të re, që ka shumë mundësi të publikohet në vjeshtë. Këto do të jenë këngët e reja të Anjezës, pas klipit “Të desha shumë”, një baladë ku u shfaq me një stil të ri. PanoramaPlus
