lundi 1 octobre 2012

Beteja për audiencë

Spektakle, seriale, formate të reja dhe luftë për audiencë. Llakaj në një variete; Demi nis një talk show; quiz-e në vend të “E diell”; “X Factor” përballet me “The Voice”. Të rejat nga ekranet shqiptare dhe spektaklet që mbetet ende për të parë.
Më qetë se asnjë herë tjetër ka nisur ky sezon i ri televiziv. Përveç Agron Llakajt që la Klanin për Vizion Plus, Endri Xhafos që do të shfaqet çdo mëngjes në Albanian Screen dhe Enkel Demit në Televizionin Publik Shqiptar, pjesa tjetër kanë qenë lëvizje jo të bujshme, krahasuar me ato të viteve të mëparshme. Ekranet shqiptare do të mbahen me personazhet kryesorë që kanë dhe investimet e këtij viti kanë shkuar në formate të reja.
Nëse një vit më parë diskutohej ekrani ku do të shkonte Adi Krasta pas ikjes nga Top Channel, nëse Arian Cani do të rikthehej në Klan, ose arsyet se pse Aida Shtino kishte lënë Vizionin, këtë vit asgjë e ngjashme nuk është përfolur bujshëm. Me siguri dihet vetëm se “E diella” nuk do të jetë më, pra Ardit Gjebrea është i vetëm në llojin e formatit të së dielës dhe se Vera Grabocka ka vendosur ta afrojë datën e transmetimit të edicionit të dytë të “X Factor Albania”, duke e vënë ballë për ballë me një tjetër të ngjashëm të tij, “The Voice of Albania”. Nga ana tjetër, sado që shumë nga formatet e vjetra kanë nisur trasnmetimin, secili nga drejtorët e programacioneve të pesë ekraneve kryesorë shqiptarë thonë se ka ende shumë për të thënë për këtë sezon. Edhe pse në mes të muajit shtator ende nuk janë caktuar datat e fillimit të transmetimit për shumë spektakle, dhe ende nuk zbulohen detajet e shumë të rinjëve që, siç thuhet, janë ende në diskutim në tavolinë. Çka nënkupton se edhe këtë sezon televiziv gjasat janë që ekranet kryesore të mos i shpëtojnë llojit të garës, “në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë”. Dhe nuk flitet vetëm për oraret e paradites, mbasdites apo spektaklet e humorit të fundjavës, të shtuar edhe me një të ri nga Agron Llakaj. Bluhen ende gjëra të reja, të cilat për të mos u “vjedhur” nga konkurrentët, mbahen sekret.
Ndërkaq televizioni Klan ka gati një studio të re, sërish të kuruar nga skenografi italian Gaetano Kasteli, e cila do të përurohet nga “Promotor” për një maratonë speciale muzikore shqiptare, me muzikë të shkruar në këto 100 vitet e fundit. Dhe jo rastësisht sepse nën logon e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë ka hartuar një program të veçantë edhe Televizioni Publik, i cili edhe pse pa bujë numëron tre kanale në Digital dhe përgatitet edhe për një të katërt, ndërkohë që Top Channel ka gati një cikël dokumentarësh dedikuar këtij përvjetori. Albanian Screen ka shtuar formate të reja, Vizioni ka ndryshuar fytyrat e paradites, Topi prezantuesen e emisionit të mbasdites, TVSH-ja ka gati emisione orëgjata të përditshëm ndërsa te Klani, Arian Çani nuk do të jetë vetëm tek Zona e tij e Lirë, por edhe në një tjetër spektakël, i cili duket se thotë shumëçka që në titull, “Për darkë te Cani”.
Kështu ka nisur ky sezon televiziv, në të cilin startin, të parët e kanë shkelur emisionet e mbasdites. Ulpiana Lama ka më shumë kohë televizive këtë vjeshtë. Mbasditja në Top zgjat deri në 6.30 me tema që i përkasin aktualiteti, hollësira dhe analiza faktesh nga ngjarjet e kronikës, politikës apo kulturës. Të premten, në Pasdite Weekend, ky televizion ka vendosur një tryezë të rrumbullakët për një talk show, intervistën e javës apo trajtim më të zgjeruar për temën më të rëndësishme të javës. Përballë, Ulpiana ka Rudina Magjistarin në TVKlan, e cila i qëndron të njëjtit format, por me tema të dobishme, personazhe të njohur dhe të panjohur që rrëfejnë eksperiencat personale apo kurizitete me shumicë, brenda të njëjtës mbasdite, nga e hëna në të premte. Me dy formatet që sezonin e kaluar konkuruan kokë më kokë do të vihen përballë “5 PM” që Vizion Plus premton se do të vijë me një koncept të ri dhe një program i përditshëm në Televizionin Publik, nga ora 14.00 deri në 19.15, me dy prezantuese, Hygerta Sakon dhe Keti Gjonçaj.
Kokë më kokë do të kërkojnë audiencë këtë fundvit edhe dy talent show-t që transmetohen në Klan dhe Top Channel. Vera Grabocka u ka dhënë fund audicioneve dhe e ka afruar datën e transmetimit të “X Factor Albania” për të cilin drejtori i programacionit në Televizionin Klan, Albert Dumani, sqaron se është një patentë e blerë nga ky televizion dhe jo nga Alketa Vejsiu siç është thënë e komentuar deri tani. “The Voice of Albania” nis nga tetori, çdo të premte në 20.45 me një përzgjedhje zërash të trajnuar në studiot e ngritura enkas për këtë spektakël gjatë verës, edicionin e dytë të garës muzikore, e cila këtë fundvit ka përballë “X Factor”, që gjithashtu nis në muajin tetor.
Albanian Screen këtë sezon të ri televiziv e nis me një ndryshim thelbësor që në mëngjes. Nuk është më sekret tashmë që të hënën e 24 shtatorit nis ‘”Mëngjes me Endrin”. Gazetari i njohur la Top Channel-in për një eksperiencë të re dhe krejt të ndryshme në Albanian Screen. Tjetër risi që AS premton për këtë vjeshtë është emisioni i drekës. I programuar për në orarin 13.30-15.00, hapsirë që deri qershorin e shkuar ishte në dispozicion të ritransmeimeve, këtë sezon do të ketë një premierë. Ky produksion do të fokusohet në kulturën e kulinarisë dhe gastronomisë. “I konceptuar si një show me shumë ingredientë, si publiku në studio ashtu edhe shikuesit nga shtëpitë, do të bëhen pjesë e programit në lojrat telefonike dhe garat midis konkurentëvë të apasionuar pas kuzhinës. Informacione, kuriozitete dhe këshilla jo vetëm për shtëpiaket”, thotë drejtoresha e programacionit të këtij televizioni Enkela Qinami. Emisioni i është besuar regjisores Andeta Radi dhe nis në mesin e muajit tetor. Një tjetër personazh i njohur i transferuar këtë sezon në Albanian Screen është edhe Gerta Heta. Nga e hëna në të premte Gerta dhe Genti Lako janë protagonistë të “Music Territory”, i cili nis gjithashtu të hënën e 24 shtatorit, si një emision mbi rrymat muzikore, mbi lindjen, zhvillimin dhe suksesin e tyre. Një produksion kushtuar më shumë të rinjve por që, kyesisht të premten, do rrokë vëmendjen e çdo moshe meqë “Music Territory” do të hyjë në tokën e legjendave botërore të të gjitha rrymave.
Në televizionin Klan, Pandi e Bledi Laço bashkë me Adi Hilën janë në përgatitjet e fundit për “100 vjet muzikë”. Ky spektakël do të inkuadrohet në panoramën e përgjithshme të festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë. Bëhet fjalë për një manifestim të këngës shqiptare, një formulë spektakli ku do të prezantohen këngët më të famshme shqiptare, por edhe muzika e një shekulli, siç janë kolonat zanore të filmave, deri tek krijimtaria e autorëve më të njohur shqiptarë. Nga historia nuk përjashtohen edhe fillimet e muzikës së kultivuar shqiptare, me repertorin e Korit “Lira” të Korçës, kompozimet e Thoma Nasit, Spiro Ilos e më pas autorët e jares shkodrane që nga Paloke Kurti, Ramadan Sokoli e deri sot. “100 vjet muzikë” do të transmetohet për 12 të shtuna në primetime dhe pjesë e spektaklit do të jenë edhe elementë konematografik, dokumentari historik e filmi artistik, projektime që do të shoqërohen me të ftuar, pjesë e kësaj historie.
Në muajin tetor në televizionin Klan programohet të zhvillohet edhe konkursi i bukurisë së Vera Grabockës, “Miss Albania 2012, ndërsa, siç është bërë traditë tashmë, në nëntor Ardit Gjebrea organizon edicionin e radhës së festivalit “Kënga Magjike. Në muajin shkurt nis transmetimin edicioni i pestë i konkursit të fëmijëve “Gjeniu i vogël”, audicionet për të cilin do të zhvillohen këtë fundvit, ndërkohë që në TvKlan, që prej 18 shtatorit, çdo të mërkurë, ka nisur kamionati i UEFA Champions League 2012-2013, të drejtat e transmetimit të të cilit, ky televizion i ka blerë për tre vitet në vazhdim. “Shumë shpejt pritet të nisin edhe disa programe të reja që janë ende në tavolinë”, thotë drejtori i programacionit Albert Dumani, duke shtuar se këtë vit në Klan nuk do të mungojnë edhe të tjera transmetime ekskluzive, traditë tashmë: në dhjetor American Music Awards (për të pestin vit), në janar “Grammy Awards” (për të pestin vit) dhe në shkurt ceremonia e çmimeve Oscar (për të tetin vit).
Në Top Channel varieteja “Portokalli” nis më 30 shtator me ndryshime në aktorë dhe numra, por jo në prezantues, ndërsa në listën e programeve të reja bën pjesë edhe një cikël dokumentarësh për 100 vjeotrin e pavarësisë së Shqipërisë. Këta vijnë pas programeve të transmetuara në sezonin e pranverës si cikli i “Dasmave”, quiz-i i kinemasë apo cikli i programeve që i dedikohej artistëve të mëdhenj të muzikës shqiptare. Këtë sezon risi përbën cikli i dokumentarëve “Shqipëria 100 vjet pavarësi, 100 vjet shtet”, çdo të mërkurë në orën 20.45. Në qendër të tij janë betejat, kryengritjet, diplomacia, njerëzit e shquar dhe kontributi i tyre, famijet e mëdha, faktori ndërkombëtar pro dhe kundër, fakte historike nga lidhja e Prizrenit te Konferenca e Londrës dhe ndikimi i saj në historinë e shtetit shqiptar, pavarësisa dhe copëtimi i viseve shqiptare etj. Premierë për këtë sezon është edhe show “Kush e ngriti flamurin”, në transmetim çdo të dielë në orën 15.25. Programi synon të sjellë në vëmendjen e publikut ata shqiptarë që me punën e tyre kanë nderuar emrin e Shqipërisë. Në mënyrë simbolike ata janë quajtur flamurtarët e Shqipërisë duke huazuar idenë e ceremonisë në olimpiada, ku kampionët ngrenë lart flamurin e vendit të tyre. Gjithashtu premierë është këtë sezon edhe “E dua vendin tim”, çdo të dielë në prën 18.10. Ky është një show argëtues ku ekipet e qyteteve të ndryshëm vihen përballë njëri-tjetrit dhe konkurojnë me njohuritë e tyre mbi artin, televizionin, muzikën, historinë, traditëm. Kulinarinë, gjuhën dhe të tjera kuriozitete nga krahina të ndryshme të vendit. Programi i prezantuar nga Xhemi Shehu pretendon një ambjent argëtues ku lojtarët dhe audienca kënaqen duke kujtuar historinë e zbuluar nga këto vende. Top Channel fillon edhe disa programe, një quiz i krijuar nga Endemol, “Tjetri”, nga e hëna në të premte në orën 18.30, i drejtuar nga Edi Manushi dhe një show tjetër lojrash, shumë i paguar, i programuar për të dielën në 16.55 dhe i drejtuar nga Gent Hazizi. “Top Channel është televizioni ku përqindja e prodhimeve vendase rritet vazhdimisht për të sjellë gjithnjë e më shumë tek shikuesit sa më shumë pjesë të Shqipërisë dhe sa më shumë probleme dhe informacione të vetë shqiptarëve”, thotë drejtoresha e Programacionit Vjollca Dedei. E gjithë kjo prodhimtari e madhe e Top Channel, ndonëse ka ulur orët e transmetimit të prodhimeve të huaja, nuk ka reshtur nga blerja e filamve serialë artistikë nga më të fundit dhe nga më të vlerësuarit në botë, si “Boardwalk Empire”, “The Firm”, etj që do të vijnë së shpejti në ekran”.
Së shpejti nis transmetimin e edicionit të dytë edhe “Nga e para” në Vizion Plus, me Valbona Selimllarin dhe stafin e arkitektëve që e shoqëron. Siç thotë drejtori i programacionit të këtij televizioni Ilir Dyrmyshi, 15 mijë familje kanë aplikuar në këtë format reality, i cili prezanton eksperienca të jashtëzakonshme të shndërrimit të jetës së një familjeje brenda katër ditësh. Ndërsa risia e këtij sezoni për Vizionin është “Al Pazar” me protagonist Agron Llakaj, i cili la Klanin dhe “Kush do të bëhet milioner” për të finalizuar një projekt që e pat deklaruar që në kkohën kur u largua nga “Portokalli” dhe Top Channel. “Al Pazar” premton një show të mirëfilltë humori, i cili për nga mënyra sesi servir realitetin do të sjellë Shqipërinë në trajtën e saj komike, me synimin për t’u shndërruar në një zë të fuqishëm mediatik dhe jo vetëm argëtues. Të shtunën e Llakat e ndjek një tjetër spektakël humori në Vizion, “Apartamenti 2XL”, çka paralajmëron një fundjavë me të qeshura në këtë ekran.
Ndërsa në Televizionin Publik Shqiptar ndryshimet duken të përmasave të mëdha këtë sezon televiziv. Drejtori i Përgjithshëm, Petrit Beci e ka marrë vetë në dorë hartën e transmetimeve duke hedhur ide të reja që siç thotë i bluante prej kohësh, por që prisnin vetëm kohën e duhur për të hyrë në programacion. Kështu mëngjesi do të jetë i gjatë në TVSH. “Jo vetëm kafe” dhe edisionin informativ i orëve të hershme do të bashkohën për të sjellë dy prezantuese Sonila Cenmuratin për aktualitetin dhe Migena Krajën për pjesën e dytë që zgjat deri në orën 10.00. Nga e hëna në të enjte TVSH do t’i hyjë një sfide me autore Alda Bidën, me një program që zgjat nga ora 14.00 deri në 19.15. Pjesa e parë e këtij programi i zë vend emisionit të mëparshëm të përditshëm, “Zig Zag”, ku do të trajtohet tema të aktualitetit, personazhe, ngjarje, jo vetëm me të ftuar, por edhe me tre lidhje direkte drejtëpërdrejtë nga terreni. Kjo pjesë e parë e programit e drejtuar nga Hygerta Sago do të ndiqet nga një e dytë, më e lehtë për nga pesha e temës apo llojit të diskutimit, me lajme nga kultura, live style, personazhe të artit, e gjitha e drejtuar nga Keti Gjonçaj. “Ky ristrukturim u pa i arsyeshëm në mënyrë që të jemi më afër njerëzve, por edhe të futet në punë me ngarkesë të plotë i gjithë stafi i televizionit”, thotë Beci. Ndërkaq emisioni “7X7″ këtë sezon do të titullohet “Klik në 7X7″ dhe elementët e rinj janë gjithashtu të përqendruar në lidhje të drejtëpërdrejta të gazetarëve nga terreni.
Çdo të hënë, Enkel Demi ka nisur ndërkaq emisionin e ri të tij në TVSH, “Shih”. Një program i ideuar në një studio të ndërtuar si papafingo, një talk shoë, ku tre të ftuarit e çdo mbrëmje – një nga jeta shoqërore ose politike; një nga arti dhe kultura dhe një i tretë nga bota e televizionit – i përgjigjen pyetjeve të gazetarit, synimi i të cilit është t’i zbërthejë deri në detajet më të hollësishme të jetës së tyre. Pjesë e programit është edhe banda muzikore dhe një këngëtar i ftuar çdo të hënë. Në TVSH e shtuna do të mbetet besnike e filmit serial, deri më 31 dhjetor kur në programin e Becit do të jetë radha për një megaspektakël ku të përfshihen shumë rubrika dhe të ftuar, këngëtarë, aktorë, politikanë, muzikë, copëza spektaklesh bukurie e festivalesh që ky televizion i numëron si bashkëpunëtorë të përhershëm. Ndërsa me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë lista e programeve është shumë e gjatë. Numërohen gjashtë koncerte me temë Shqipërinë, në të cilët do të luhet muzikë e kompozitorëve të njohur shqiptarë; në fund të shtatorit TVSH do të jetë organizator i Festivalit të Këngës për Fëmijë, fituesi i të cilit do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Fëmijëve, një lloj Eurosong-u për të vegjlit, i cili mbahet në Amsterdam. Më 4-5 tetor është radha e Festivalit të Muzikës Popullore që do të mbahet në TOB, ku dhjetë këngëtarë të ftuar nga të gjitha trevat do të interpretojnë muzikë të vjetër, por edhe të re të përpunuar shqiptare ndërsa në listën e filmave dokumentarë bëjnë pjesë pesë të tillë të ndërtuar posaçërisht për historinë e shtetit shqiptar në këto 100 vjet.
Nuk kanë ndryshuar në këtë sezon programet e vjetra: Në TVSH, “Duel”, “Njerëz të humbur” dhe emisionet sportive; në Vizion Plus, Adi Krasta me “A show”, Alfred Peza me “Debat” dhe “Intervista”, Andi Bushati me “Zonë e ndaluar” dhe ndeshjet e UEFA Europa League; në Top Channel Arbana Osmani do të vijojë me “1001 pse”, Alban Dudushi me “Top Show” dhe Sokol Balla me “Top Story”; në Albanian Screen, “Bugajski Hour” nga politologu Janusz Bugajski, Aleksandër Furxhi me “Prizëm” dhe në televizionin Klan, Blendi Fevziu me “Opinion”.
Një program i bollshëm me pak fjalë. Të cilit po t’i shtohen edhe ato që ende janë në plan, garës së hapur për të fituar audiencë mes ekraneve, duket se garantojnë një dimër të bereqetshëm e me mundësi zgjedhje.
Telenovelat
Turqia nr.1
Në televizionin Klan të garantojnë se serialët e famshëm amerikanë, “Greys Anatomy”, “Dr. House” e “CSI NY” do të vazhdojnë edhe këtë sezon. Veçse në top listë edhe këtë fundvit janë serialet turke. Këto ditë ka nisur transmetimi i “Jetë e hidhur” me protagonist aktorin Kenan Imirzalioglu, i njohur më parë në serialin “Ezel”. I denjë për orarin 20.05, nga e hëna në të premte duket të jetë edhe një tjetër serial turk “Kuzey Guney” (Veriu dhe Jugu), i cili fillon së shpejti, ndërkohë që qershia mbi tortë për këtë dimër është versioni turk i “Shtëpiake të dëshpëruara”. Në Albanian Screen “Sulejmani i madhërishëm”do të vazhdojë transmetimin me sezonin e tretë në muajin tetor dhe përeveç tij një tjetër produksion turk, “1001 net”, ka nisur të shfaqet nga e hena në të premte në 19.45. Një dramë e zgjedhur nga ky ekran, siç thotë Qinami, jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për suksesin e padiskutueshëm që ka pasur kudo ku është shfaqur. Ndërkaq në Vizion vazhdon “Lugina e ujqërve”. Meqë të tre këto televizione e kanë provuar që serialet turke vlejnë dhe pëlqehen nga publiku, edhe TVSH ka programuar gjithashtu një film turk, para edicionit qendror të lajmeve.