lundi 1 octobre 2012

Nga “Big Brother” në televizion, banorët me ‘këmishë’ dhe ata të pafat


Nga “Big Brother” në televizion, banorët me ‘këmishë’ dhe ata të pafat


Janë zhvilluar deri tani 5 edicione të shout Big Brother Albania. Një numër i lartë konkurrentësh kanë  qenë pjesë e kësaj loje, me strategjitë e  tyre për të fituar çmimin e madh, por edhe për të depërtuar në botën e medias. Disa prej tyre, ata më me fat, ia kanë dalë mbanë. Kanë sakrifikuar gjithçka për të arritur aty ku kanë dashur, por edhe kanë besuar në aftësitë e tyre. Sigurisht janë pak në krahasim me numrin e madh të lojtarëve që kanë pretenduar që famën ta shfrytëzonin në favor të ëndrrave të tyre. Disa kërkuan edhe të angazhohen në politikë, si Qetsor Ferunaj apo edhe Ermela Mezuraj, po pa sukses. Disa të tjerë qëlluan më me fat dhe realizuan ambiciet e tyre në televizion, radio dhe shtypin e shkruar.

Erion Zeqiraj
Djaloshi simpatik, i cili fitoi popullaritet falë Big Brother, duket se është pozicionuar mirë në botën e medias. Prej kohëshai drejton emisionin e mëngjesit në Albania Screen bashkë me Lori Haxhiun, edhe pse sezoni i ri i vjeshtës do ta gjejë disi me ndryshime. Sërish në televizion, po me një format tjetër, duke e lënë kështu emisionin Agon, që fillonte çdo ditë në orën 8.  
Arjon Muça
Arjoni është një tjetër shembull nga ata që ia dolën të ishin pjesë e televizionit dhe e pushtetit që të jep të qenit çdo javë apo çdo ditë përballë publikut. Si fillim, ai nisi në Top-Channel të prezantonte bashkë me Hueyda El Saied emisionin “Një këngë për ty”. Pas tij Arjoni u pozicionua mirë në botën e televizionit, duke qenë tanimë pjesë e së “Dielës shqiptare”. Ai tashmë është prezantues krah Ardit Gjebresë dhe brazilianes Andresa. Gjithashtu, Arjoni është në një histori me një nga velinat e Fiks Fare, Vjola Spiro.
Adela Xhamani
Adela, një nga vajzat me popullaritetin më të madh në këtë shou, shpresonte shumë ta ndryshonte jetën e saj. Mund të themi se ia ka dalë plotësisht. Tani ajo ka realizuar ëndrrat e saj. Ka qenë pjesë e 3 sezoneve të “Dancing with the stars” në Vizion plus, ku ka prezantuar emisionin “Fun club”. Veç prezantimit, Adela ka realizuar edhe ambicien tjetër të saj, duke punuar në median e shkruar. Ajo prej muajsh punon në “Gazetën shqiptare” si gazetare.  
Arjan Bakalli
Arjan Bakalli është një nga ish-banorët e tjerë i cili arriti të kishte një emision në televizion. “Kati i sipërm” është një emision i cili transmetohet në Digitalb. Autori dhe drejtuesi i tij është vetë Ari, i cili e ka konceptuar këtë shou si një bisedë tejet ndryshe. Emisioni zhvillohet në një darkë shumë të veçantë në shtëpinë e tij, i rrethuar mes miqsh shumë interesantë… Personalitete të fushave të ndryshme, por edhe njerëz të thjeshtë,  shprehin opinionet e tyre mbi tema të ndryshme. Ideja e Arjanit ka qenë për të krijuar një atmosferë sa më të ngrohtë dhe mikpritëse për çdo temë të aktualitetit, por jo vetëm.
Elton Tozaj
Edhe Elton Tozaj mund të themi se ia ka dalë të qëndrojë mirë përpara ekranit të madh. Veç menaxhimit të lokalit “Caramel”, ai herë pas herë shfaqet si opinionist në Vizion Plus. Mund të themi se edhe pas mbarimit të Bigut Eltoni nuk i ka humbur lidhjet me botën e televizionit.
Po veç këtyre banorëve, të tjerë si Jonida Aliçkolli, Haki Kika, apo Adi Pojana kanë arritur të kenë një punë stabël në radio, duke drejtuar emisione të ndryshme radiofonike.   
Ata që nuk patën një shans
Jo të gjithë qëlluan me fat në garën për të qenë pjesë e ekranit. Ermela Mezuraj, e cila shpresoi shumë se dikush do t’i besonte një hapësirë në televizion, ende nuk ka pasur asnjë ofertë të tillë. Po të njëjtin fat  duket se do të ketë edhe Genta, e cila pavarësisht sensit të humorit dhe bejteve të saj, ka thënë se do të shohë një rrugë krejt tjetër. Madje, të dyja vajzat kanë tentuar ‘Portokallinë’, por siç duket për disa hapja e një dere sado të vogël nuk është gjëja më e  thjeshtë në botë.  Jonida Hitoveizi Gazeta MAPO