samedi 13 octobre 2012

Portokallia, një histori humori dhe suksesi


Për ne kanë një thesar të pashtershëm humori. Një histori suksesi që në sezonin e saj të 18 vazhdon të mbërthejë familjet shqiptare para ekranit të dielën mbrëma.
Nasi, polici, të burgosurit, atentatorët… dhe jo vetëm. Një galeri personazhesh që nëpërmjet një pune të lodhshme dhe provave të pafundme sjellin buzëqeshjen në ekran.

Aktorë të rinj në përballjen e parë me  spektatorët e “Portokallisë” gjithashtu edhe veteranët e specializuar.
Eneida dhe Salsano janë dyshja që për sezonin e katërt i është besuar drejtimi i spektaklit.
Vërtetë mund të jetë produksioni më zbavitës që transmetohet aktualisht në Shqipëri, por është gjithashtu një nga më të lodhshmit. Mbledhje, diskutime, prova dhe të tjera prova. Është praktikisht e pamundur të shohësh ndonjë nga pjesëtarët e trupës që të mos ketë skenarë nëpër duar.
Prej 9 vitesh teatri i Portokallisë mban një rekord më vete. Salla tek ish-ekspozita ka shitur një lumë biletash për të apasionuarit e spektaklit të gjallë. Nëse do të bënim një llogaritje të përafërt dhe humorin do ta sillnim nëpërmjet shifrave do të rezultonte që çdo qytetar i Tiranës të paktën një herë e ka parë Portokallinë live.
Kanë parë koreografinë e Manjola Hasanit dhe Ezdalin Goranit. Skenografinë e Fatmir Mingës apo kostumografinë e Ilirjana Loxha Basha.
Altin Basha, regjisori i “Portokallisë” nënvizon impenjimin e jashtëzakonshëm që ekziston pas çdo personazhi që del para publikut.
“Rezultati që shihet në skenë dhe televizion është puna e një numri të madh njerëzish që investojnë mbi një personazhn të vetëm. Investim në dramaturgji, vizualitet, teknikë, regji, aktrim… Të gjitha këto shtresa veshin një aktor”, shprehet Basha, i ftuar në emisionin “Pasdite në Top Channel”.
Në lidhje me humorin me politikanët, regjisori deklaron se nuk ka pasur kurrë komente të këqia nga figurat politike të vendit: “Nuk kam pasur kurrë ankesa nga politikanët në ato pak raste që jam takuar me ta. Si nga e djathta, ashtu edhe nga e majta e kuptojnë humorin dhe e vlerësojnë filozofinë tonë të Portokallisë, që qëndrimet tona politike shtyhen nga ndjenja jonë qytetare.”

Salsano Rrapi, prezantues dhe aktor i “Portokallisë”, zbulon sekretin e harmonisë që ekziston mes aktorëve të spektaklit: “Përveç kolektivitetit gjatë punës, ne takohemi me njëri-tjetrin edhe për dreka. Kjo gjë na “mbledh” më shumë. Është një punë e vazhdueshme, por është argëtuese.”
Romir Zalla vlerësoi punën e madhe që është bërë në këto 9 vite të “Portokallisë”: “215 shfaqje të janë shumë. Kemi punuar gati sa për 50 vjet. Është vështirë të arrihet ky volum pune, por në këto nëntë vite ka pasur ritëm, energji dhe dëshirë për të bërë maksimumin për publikun.”