samedi 17 novembre 2012

Ersela Kurti, edhe balerinë, edhe miss

22-vjeçarja nga Tirana është një nga balerinat e trupës së “TV Klan”, ndërsa çdo të diel e kemi parë në spektaklin “E diela shqiptare”. Pak ditë më parë Ersela Kurti rrëmbeu kurorën e “Miss world Albania 2012”. Synimi i saj kryesor është të ketë sukses në botën e televizionit dhe të spektaklit, ndërsa kurorën e “Miss-it” e konsideron si një mundësi të mirë promovimi. E kënaqur me arritjen e saj në spektaklin e parë të bukurisë që merr pjesë, Ersela tregon se ndihet me fat, madje edhe krenare që do të jetë një ndër përfaqësueset e bukurisë shqiptare në botë. Në këtë intervistë për “Shekullin”, balerina rrëfen emocionet e para dhe synimet që ka për karrierën e saj dhe pasionin për modelingun. Para se të nis rrëfimin e saj për pjesëmarrjen në këtë konkurs bukurie ajo prezantohet duke na pohuar se: “Quhem Ersela Kurti, jam 22 vjeç. Kam lindur në Tiranë dhe kam mbaruar shkollën e baletit, ndërsa prej 4 vitesh punoj si balerinë në “TV Klan”. Aktualisht ndjek studimet e larta në Universitetin e Tiranës për Drejtësi”.
Po kur ka lindur pasioni i Erselës për modën?
Pasioni për modën ka nisur që në fëmijëri. Si të gjitha vajzat e vogla kisha edhe unë dëshirat për veshjet dhe modelingun. Kam pasur një eksperiencë disa vite më parë. Në atë periudhë kam qenë imazh i një kompanie telefonike.
Mendoni se vajzat e bukura paragjykohen për aftësitë e tyre profesionale apo zgjuarsinë? Jeni gjendur ndonjëherë në një situatë të tillë?
Mendoj që jo të gjitha paragjykohen. Çdokush ka mundësinë të shpalosë talentin dhe aftësitë profesionale i pandikuar nga paraqitja e jashtme. Unë personalisht nuk jam gjendur ndonjëherë në një situatë të tillë deri tani. Cila është lidhja juaj me politikën?
Keni ambicie në këtë fushë?
Aktualisht nuk jam shumë e interesuar për politikën, por në një të ardhme ndoshta më zgjohet më shumë interesi dhe ambicia në këtë drejtim.
Që të jetë e bukur, sipas jush një vajzë duhet patjetër të ketë…?
Mendoj se një vajzë duhet të ketë patjetër thjeshtësinë, origjinalitetin dhe inteligjencën. Kështu natyrisht që do të duket më bukur.
Një këshillë për vajzat që aspirojnë modelingun, apo kurora të tilla?
Mendoj se duhet të kujdesen sa më shumë për veten dhe të angazhohen në aktivitete sportive. Natyrisht që një rol të rëndësishëm ka edhe mënyra e shëndetshme e të ushqyerit.